SPAK, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka zbuluar dhe shkatërruar një grup të strukturuar kriminal që kryente mashtrime kompjuterike përmes një Call Center-i të ngritur në Shqipëri.
Prokurori i Posaçëm, Eneid Nakuçi, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun gjerman, bëri me dije se qindra qytetarë gjermanë kanë rënë pre e kësaj skeme. Sipas hetimeve, dëmi i shkaktuar arrin në rreth 365 mijë euro.

Grupi mashtrues prezantohej si oficerë policie gjermane, duke i bindur qytetarët se po i ndihmonin për të rikuperuar humbjet e tyre në tregtinë “Forex” dhe në kriptovaluta. Në vend që t’i ndihmonin, ata i zhysnin edhe më shumë në mashtrim.
Hetimi filloi në fund të vitit 2023 në Gjermani dhe vijoi në Shqipëri gjatë vitit 2024. Gjatë një kontrolli në Call Center-in e përdorur nga grupi, SPAK siguroi prova dokumentare dhe digjitale që çuan në 5 masa arresti në burg dhe 3 arrestime në shtëpi.