Një hetim i BBC ka zbuluar detaje të reja mbi aktivitetin e financierit të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, duke hedhur dritë mbi një rrjet apartamentesh të përdorura në Londër për strehimin e viktimave të abuzimit dhe trafikimit seksual.
Sipas dokumenteve të përfshira në dosjet e Epstein, përfshirë fatura, e-maile dhe të dhëna bankare, ai kishte marrë me qira të paktën katër apartamente në zonat elitare të Kensington dhe Chelsea. Të paktën gjashtë gra që kanë jetuar në këto prona kanë dalë publikisht si viktima të tij.
Hetimi tregon se disa prej grave, kryesisht nga Rusia dhe Europa Lindore, janë sjellë në Mbretëria e Bashkuar edhe pasi Policia Metropolitane e Londrës vendosi në vitin 2015 të mos hapte hetim ndaj pretendimeve për trafikim të ngritura nga Virginia Giuffre.
Dokumentet zbulojnë gjithashtu se disa prej viktimave detyroheshin të rekrutonin gra të tjera, ndërsa transportoheshin rregullisht mes Londër dhe Paris, shpesh përmes linjës hekurudhore Eurostar.
Nga viti 2011 deri në 2019, Epstein kishte blerë të paktën 53 bileta për gra të reja që udhëtonin mes Britanisë dhe Francës, duke sugjeruar një rrjet të organizuar transporti dhe shfrytëzimi.
Sipas BBC, aktiviteti i tij në Mbretërinë e Bashkuar ishte më i gjerë sesa mendohej më parë, duke përfshirë jo vetëm strehimin, por edhe financimin e jetesës dhe studimeve për disa nga viktimat.
Ekspertë dhe ish-zyrtarë kanë kritikuar autoritetet britanike për mungesë veprimi. Avokatja e të drejtave të njeriut Tessa Gregory theksoi se kishte “akuza të besueshme për trafikim njerëzor” që kërkonin hetim të menjëhershëm dhe të pavarur, ndërsa ish-zyrtari i lartë i policisë Kevin Hyland deklaroi se u humbën mundësi të qarta për të hetuar rastin.

