Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas dështimit të radhës për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në një deklaratë publike, Haradinaj ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokim të institucioneve dhe sjellje autokratike.
“Politikat bllokuese, shantazhuese dhe uzurpuese janë kryefjala e Albin Kurtit. Pezullimi i seancës, ndonëse kishte numra për vazhdim, tregon qartë se kush e mban peng Kosovën prej më shumë se katër vitesh,” shkroi Haradinaj.
Ai e akuzoi Kurtin se po e largon vendin nga vlerat demokratike dhe properëndimore dhe kërkoi që të ndërmerren hapa konkretë për formimin e institucioneve të reja.
“Dorëhiqu – nuk mund të mbash dy pozita. Propozojeni dhe formojeni kryesinë e Kuvendit. Formo Qeverinë. Nëse nuk mundesh – lësho rrugë. Përndryshe, pushteti do t’ia kthehet sovranit – e aty mashat do të digjen,” përfundon deklarata e Haradinajt.