Autoritetet izraelite kanë konfirmuar se kanë marrë nga Kryqi i Kuq tre trupa të tjerë të personave të vrarë në Gaza, që sipas Hamasit i përkisnin pengjeve izraelite. Trupat ndodhen aktualisht në duart e ushtrisë dhe po i nënshtrohen testeve të ADN-së për identifikim.
Sipas Hamasit, trupat janë gjetur në një tunel në jug të Gazës. Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi Izraeli njoftoi se tre trupa të dorëzuar më herët nuk përputheshin me asnjërin nga pengjet e zhdukur, duke ngritur dyshime për vonesa dhe konfuzion të qëllimshëm nga ana e Hamasit. Izraeli e cilësoi situatën si “zhvlerësim të dhimbjes së familjeve”.
Grupi militant palestinez ka reaguar duke theksuar se dëmet masive në Gaza dhe mungesa e mjeteve e bëjnë shumë të vështirë gjetjen dhe identifikimin e trupave nën rrënoja.
Më herët, autoritetet izraelite konfirmuan identifikimin e trupave të Sahar Baruch dhe Amiram Cooper, të cilët ishin pengje të vrarë gjatë luftës. Procesi i dorëzimit të trupave është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA, që përfshin edhe lirimin e afro 2,000 të burgosurve palestinezë në këmbim të kthimit të pengjeve dhe trupave të viktimave.
Megjithë armëpushimin, tensionet në terren mbeten të larta. Izraeli ka kryer disa sulme ajrore në ditët e fundit, duke akuzuar Hamasin për planifikim të sulmeve të reja, ndërsa autoritetet në Gaza raportojnë dhjetëra viktima pas bombardimeve.
Dy vjet pas shpërthimit të konfliktit, Gaza mbetet e shkatërruar: mbi 68 mijë palestinezë janë vrarë sipas autoriteteve lokale, ndërsa 1,200 izraelitë humbën jetën në sulmet e Hamasit më 7 tetor dhe 251 persona u morën peng.
Egjipti dhe Kryqi i Kuq vijojnë kërkimet në zonat e rrënuara, teksa 11 trupa të pengjeve ende rezultojnë të zhdukur. Autoritetet izraelite kanë premtuar se do të vazhdojnë operacionet deri në kthimin e çdo trupi, ndërsa familjet e pengjeve kërkojnë transparencë dhe përshpejtim të procesit.

