Serbia dhe Hungaria nënshkruan të martën në Beograd një dokument që konkretizon marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes të arritur në vitin 2023.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se beson që kjo marrëveshje do të pasohet me një afrim të mëtejmë drejt krijimit të një aleance ushtarake midis Serbisë dhe Hungarisë.
“Për këtë vendos pala hungareze, vendosin parlamentet e Hungarisë dhe Serbisë. Marrëdhëniet tona janë më shumë se të mira dhe kryeministri Viktor Orban dhe unë kemi shprehur dëshirën që të vazhdojmë me përshpejtimin dhe afrimin e mëtejshëm të qëndrimeve tona në sferën e mbrojtjes”, tha Vuçiç pas nënshkrimit.
Beogradi reagoi ashpër në mes të marsit ndaj deklaratës së nënshkruar në atë kohë në Tiranë nga Shqipëria, Kroacia dhe Kosova, të cilën pjesëmarrësit e përshkruan si një dokument që synon forcimin e bashkëpunimit për t’u përballur me sfidat e sigurisë që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal. Nga ana tjetër, Serbia e quajti atë provokim dhe kërcënim për stabilitetin.
Dokumentin e ri mes Serbisë dhe Hungarisë e nënshkruan ministrat e mbrojtjes, Bratisllav Gashiq dhe Kristof Szalay-Bobrovniczky.
Siç është bërë e ditur, Beogradi dhe Budapesti kanë rënë dakord për 79 aktivitete të përbashkëta në fushën e mbrojtjes gjatë vitit 2025, duke përfshirë trajnime të përbashkëta, ushtrime me helikopterë dhe aktivitete të tjera, bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, siguri kibernetike, operacione paqeruajtëse, edukim dhe mjekësi ushtarake.