Finlanda ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në mbështetje të Ukrainës, duke njoftuar se do të përdorë të ardhurat nga asetet e ngrira ruse për të financuar dërgimin e municioneve me vlerë 90 milionë euro drejt Kievit.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria finlandeze e Mbrojtjes, ndërsa vendimi përkon me qëndrimin e Bashkimit Evropian për përdorimin e interesave të krijuara nga fondet e ngrira të Rusisë, në ndihmë të Ukrainës. Sipas të dhënave të Reuters, rreth 210 miliardë euro nga gjithsej 300 miliardë dollarë në asete të ngrira ruse ndodhen aktualisht në territorin e BE-së, kryesisht në formën e obligacioneve shtetërore.
Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Hakkanen, deklaroi se është arritur një marrëveshje për financim shtesë në kuadër të mbështetjes për Ukrainën, duke theksuar se ky është një hap i qëllimshëm në përpjekjet për të ndihmuar vendin në luftën kundër agresionit rus.
Nga ana tjetër, Kremlini nuk ka dhënë ende një reagim të drejtpërdrejtë mbi vendimin e Helsinkit, por më herët ka paralajmëruar se përdorimi i aseteve të ngrira do të konsiderohej i paligjshëm dhe do të sfidohej ligjërisht, duke ngritur shqetësime për shkelje të të drejtave të pronësisë dhe rrezikun e një precedenti ndërkombëtar.


