Një tjetër ngjarje tragjike ka goditur familjen e Roan Brahimit. Babai i tij, Gjovalin Prendi, është qëlluar për vdekje me armë zjarri mbrëmjen e sotme në fshatin Pllanë të Lezhës, teksa ndodhej brenda lokalit të tij.
Sipas dëshmitarëve, disa persona të armatosur janë afruar dhe e kanë qëlluar Prendin pa asnjë paralajmërim, ndërsa ai ishte duke konsumuar një kafe. Edhe pse familjarët e transportuan menjëherë drejt spitalit, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Pamjet e para nga vendi i ngjarjes janë bërë publike.
Vrasja vjen pak më shumë se një vit pas ekzekutimit të djalit të tij, Roan Brahimi (emër i ndryshuar nga Sidorel Prendi), i cili u vra në mes të Athinës në maj të vitit 2024, përpara syve të bashkëshortes dhe fëmijës së tyre të vogël. Ai njihej si një nga rivalët e fortë të Ervis Martinajt dhe dyshohej për përfshirje në atentatin ndaj Gentjan Bejtjes në Larushk të Krujës.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e vrasjes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një hakmarrjeje të lidhur me prapaskenat e botës së krimit.