Detaje të reja kanë dalë në pah nga rasti i ndodhur së fundmi në Vlorë, ku filluan hetimet mbi një të mitur i cili akuzohet se ka hakeruar faqet online të institucioneve shtetërore.
Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për një 15-vjeçar me spektrin e autizmit, i cili sipas Policisë, dyshohet se gjatë muajit mars 2025 ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në të dhënat kompjuterike të disa institucioneve shtetërore (email-e dhe faqe zyrtare), duke shkaktuar ndërprerjen e funksionimit të tyre për periudha të caktuara kohore.
Më tej zbulohet se pre e këtij sulmi haker kanë rënë 6 institucione në qytetin e Vlorës, ndërsa i mituri ka tentuar që të hakerojë edhe faqen e Kuvendit dhe të SHISH, por pa sukses.
Referuar hetimeve të deritanishme mësohet se i mituri ka vepruar i vetëm.
Ndërsa në dëshminë e dhënë para hetuesve ai ka deklaruar se sulmin e ka bërë për kuriozitet.
Autoritetet raportuan se kanë sekuestruar disa pajisje, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të thelluara teknike, konkretisht: 5 kompjuterë laptop, 6 aparate celularë dhe 1 dron.