Juristja e njohur ndërkombëtare Amal Clooney – bashkëshortja e aktorit George Clooney – rrezikon të ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara, pas përfshirjes së saj në këshillimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për ndjekjen penale të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte në Gaza.
Sipas “Financial Times”, qeveria britanike ka paralajmëruar disa juristë të profilit të lartë për mundësinë e sanksioneve nga administrata e Donald Trump, si pasojë e përfshirjes në çështjen që çoi në urdhër-arrestet ndërkombëtare ndaj zyrtarëve izraelitë në nëntor 2024. Trump, përmes një urdhri ekzekutiv të firmosur në shkurt, ka vendosur sanksione financiare dhe kufizime vizash ndaj punonjësve të ICC-së dhe familjarëve të tyre, duke e cilësuar procesin “të pabazuar”.
Edhe pse deri tani vetëm prokurori i ICC-së Karim Khan përmendet drejtpërdrejt në listën e sanksioneve, përfshirja e Amal Clooney-t – e cila ka një karrierë të njohur në të drejtat e njeriut dhe është një nga figurat që ka ndikuar në këtë proces – mund ta vendosë atë në shënjestër të urdhrave ndëshkues të administratës Trump.
Kjo mund të ketë pasoja të rënda për jetën e saj personale dhe profesionale, duke qenë se ajo jeton në SHBA me George Clooney-n dhe dy binjakët e tyre 7-vjeçarë që prej vitit 2014. Çështja po ndez debate të reja për përplasjen mes drejtësisë ndërkombëtare dhe fuqive politike globale.

