Athina zyrtare ka dërguar një notë proteste të fuqishme ndaj ambasadorit të Izraelit në Greqi pas ndërhyrjes së ushtrisë izraelite ndaj flotiljes ndërkombëtare të solidaritetit “Global Sumud”, e cila kishte destinacion Gazën.
Me urdhër të Ministrit të Jashtëm, Georgios Gerapetritis, përveç demarsheve verbale, u dërgua edhe kjo notë pas deklaratave të ministrit izraelit të Sigurisë që kërkoi burgosjen e aktivistëve, mes tyre 27 qytetarë grekë, përfshirë një deputete dhe dy gazetarë nga Selaniku.
Forcat izraelite ndaluan mbi 40 anije dhe arrestuan rreth 400 aktivistë të flotiljes, iniciativë ndërkombëtare humanitare për të dërguar ndihma në Gaza. Një delegacion i Ambasadës Greke në Tel Aviv vizitoi të ndaluarit dhe konfirmoi se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, ndërsa autoritetet greke po përpiqen për riatdhesimin e tyre sa më shpejt.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta politike në Greqi. Partitë opozitare PASOK, SYRIZA, Nisma “Lundrimi i Lirisë” dhe “E Majta e Re” nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke e cilësuar ndërhyrjen izraelite si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasve grekë.
Në Athinë u zhvillua gjithashtu një protestë para Ministrisë së Jashtme, ku morën pjesë përfaqësues të shoqatave paqësore, sindikalistë, studentë dhe aktivistë të organizatave ndërkombëtare si “March to Gaza” dhe “Stop the War”. Pavarësisht tensioneve diplomatike, mesazhi i përbashkët nga opozita dhe shoqëria civile është i qartë: lirimi dhe kthimi i menjëhershëm i shtetasve grekë në atdhe.

