Greqia po përballet me një valë të nxehti ekstrem, me temperatura që në disa zona pritet të kalojnë 40°C. Për të mbrojtur qytetarët dhe punëtorët, autoritetet kanë ndaluar çdo punë fizike në ambiente të jashtme nga ora 12:00 deri në 17:00, si dhe shpërndarjen e ushqimit, gjatë këtyre orëve kritike.
Masa të veçanta janë ndërmarrë në Greqinë Qendrore dhe disa ishuj, ndërsa punëdhënësit janë udhëzuar të ofrojnë punë nga shtëpia, aty ku është e mundur. Në Athinë, nuk janë vendosur kufizime shtesë, pasi vala konsiderohet normale për këtë periudhë.
Dita më e nxehtë pritet të jetë e marta, sipas shërbimit meteorologjik, ndërsa temperaturat në zonat bregdetare do të jenë disi më të ulëta.
Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht për personat e moshuar dhe grupet e rrezikuara. Janë hapur ambiente publike me ajër të kondicionuar për këdo që nuk ka mundësi të qëndrojë në mjedise të freskëta.
Kjo valë e të nxehtit ka përfshirë edhe vende të tjera të Evropës Jugore, përfshirë Ballkanin, duke ngritur shqetësime për shëndetin publik dhe kushtet e sigurisë në punë.


