Google ka zbuluar një nga veçoritë më të forta të sigurisë që vjen me versionin e ri të sistemit operativ Android 16: aftësinë për të zbuluar nëse telefoni juaj po përgjohet ose po lidhet me rrjete të rreme celulare.
Kjo teknologji ka si objektiv pajisjet përgjuese të njohura si “stingray”, që imitojnë stacionet bazë të operatorëve celularë për të kapur thirrje, mesazhe dhe të dhëna. Telefoni, i mashtruar nga ky rrjet fals, lidhet me të pa e kuptuar përdoruesi.
Me funksionin e ri “Siguria e rrjetit celular”, Android 16 do të sinjalizojë përdoruesin nëse pajisja e tij është lidhur me një rrjet të pasigurt ose nëse rrjeti përpiqet të marrë të dhëna të ndjeshme si IMEI apo IMSI.
Ky funksion përfshin gjithashtu një mundësi për të çaktivizuar rrjetin 2G, i cili konsiderohet më i cenueshëm ndaj sulmeve të këtij lloji.
Por ka edhe kufizime:
Ky opsion nuk do të jetë i disponueshëm në të gjitha telefonat, edhe nëse ata marrin Android 16.
Vetëm pajisjet me harduer modern që mbështesin Radio HAL 3.0 do të mund ta përdorin.
Së pari, funksioni do të aktivizohet në telefonat Pixel të Google, ndërsa prodhuesit e tjerë do të duhet ta integrojnë vetë sipas ritmeve të tyre.
Për më tepër, pas përditësimit në Android 16, funksioni do të jetë i çaktivizuar si parazgjedhje, dhe përdoruesit do të duhet ta aktivizojnë vetë nëpërmjet cilësimeve.


