Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi sot një takim me kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji.
Gjatë takimit, Gonzato rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Shqipëri, duke theksuar rolin kyç që Gjykata Kushtetuese luan në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve shqiptarë.
Ambasadori vuri në dukje se Gjykata Kushtetuese ka arritur një nivel të qëndrueshmërisë dhe funksionimit institucional, ndërsa dy vendet e lira pritet të plotësohen së shpejti, duke garantuar vijimësinë e punës me standarde të larta cilësie, transparence dhe pavarësie.
Në këtë kuadër, Gonzato konfirmoi gjithashtu përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese në projektet e ardhshme të Bashkimit Evropian, si dhe mbështetjen për harmonizimin e praktikës gjyqësore shqiptare me të drejtën e BE-së.
Sipas tij, bashkëpunimi me të gjithë sistemin e drejtësisë mbetet thelbësor për procesin e integrimit evropian, ku Gjykata Kushtetuese përbën një partner strategjik.


