Një operacion i suksesshëm i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Korçë ka rezultuar me goditjen e një rasti të kontrabandës në Pikën Kufitare të Kapshticës. Gjatë një kontrolli rutinë, shërbimet policore ndaluan një automjet të drejtuar nga një 57-vjeçar, i cili po transportonte mallra të padeklaruara.
Sipas policisë, automjeti me drejtues shtetasin Th. B., banues në Plasë, u ndalua në hyrje të territorit shqiptar. Nga kontrolli i imtësishëm, u gjetën produkte ushqimore, pije alkoolike, dhjetëra steka cigaresh dhe disa aparate celularë, të cilat nuk kishin asnjë dokumentacion ligjor apo fatura blerjeje. Dyshohet se mallrat ishin kontrabanduar nga Greqia.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 57-vjeçari u arrestua në flagrancë për dy vepra penale: “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjerë”.
Mallrat e sekuestruara do të shërbejnë si provë materiale, ndërsa materiali i plotë i rastit i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Korçës për hetime të mëtejshme.


