Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pritet të marrë pjesë fizikisht në seancën e 31 tetorit në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për shfuqizimin e vendimit të shkarkimit nga detyra.
Lajmi u bë i ditur nga moderatori Endri Xhafo gjatë emisionit “Log.” në News24. Ai tha se, pas një komunikimi me një prej avokatëve të Veliajt, është konfirmuar se ish-kryebashkiaku do të jetë i pranishëm personalisht në sallë.
“Sot kam komunikuar me një nga avokatët e zotit Veliaj, sepse ai ka një grup avokatësh që e ndihmojnë në këtë çështje. Më tha se Veliaj do të jetë i pranishëm në seancën e datës 31 tetor,” u shpreh Xhafo.
Ai shtoi se pjesëmarrja e Veliajt është pjesë e një procedure të rregullt gjyqësore dhe se Gjykata Kushtetuese ka detyrimin ligjor të garantojë praninë e tij përmes bashkëpunimit me institucionet përkatëse.
“Është detyrim i Gjykatës Kushtetuese. Atë që ai e kërkoi në Këshillin Bashkiak dhe nuk ia dhanë, tani realizohet në mënyrë shumë praktike. Drejtoria e Burgjeve merr masat për transportin e personit të ndaluar me kërkesë të GJK,” tha Xhafo.
Veliaj ndodhet aktualisht nën masë sigurie dhe po zhvillon një betejë ligjore për të kundërshtuar vendimin e shkarkimit si dhe për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Tiranës.