Ish-kryeministri Sali Berisha do të vijojë të paraqitet pranë Policisë Gjyqësore, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi sot rekursin e tij ndaj masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”, vendosur më herët nga Apeli i GJKKO-së në kuadër të hetimeve për çështjen “Partizani”.
Në të njëjtën seancë, Gjykata e Lartë la në fuqi edhe arrestin shtëpiak për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Berisha dhe Malltezi janë nën hetim nga SPAK, nën dyshimin se janë përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash gjatë privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në bashkëpunim me biznesmenin Fatmir Bektashi. Sipas akuzës, Berisha dyshohet se ka ndërhyrë në procesin ligjvënës për të favorizuar privatizimin në interes të disa familjeve, përfshirë atë të Malltezit.