TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Apelit për ekstradimin e ish-luftëtarit të UÇK-së Dritan Goxhaj.
Prokuroria e Apelit kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të Gjykatës se Apelit që refuzonte ekstradimin e Dritan Goxhajt për llogari të Gjykatës Speciale në Hagë, duke kërkuar sërish ekstradimin e tij drejt Kosovës.
Një vit më parë, më 31 korrik të 2023, Dritan Goxhaj u arrestua nga Policia e Tiranës me urdhër të Gjykatës për qëllime ekstradimi. Procesi gjyqësor i tij zgjati mbi 70 ditë dhe Gjykata e Apelit vendosi mos ekstradimin e Goxhajt, madje arrestimi i tij u shpall i paligjshëm.
Goxhaj fiton betejën edhe në Gjykatën e Lartë, ish-luftëtari i UÇK nuk do ekstradohet në Hagë. Teksa sot Gjykata e Lartë ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e Apelit dhe Dritan Goxhaj nuk do përballet me akuzat e Gjykatës Speciale të Kosovës, në Hagë.