Site icon Informohu siç duhet

Gjykata e Lartë la në fuqi arrestin për Veliajn, avokatët ndërkombëtarë: Shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut

Veliaj kërkoi lirinë. Apeli i GJKKO vendos për kryebashkiakun e Tiranës

Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë në fuqi masën “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, avokatët e tij ndërkombëtarë e kanë cilësuar këtë vendim si një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe të parimeve të një procesi të rregullt ligjor.

Sipas deklaratës së publikuar nga mbrojtja ligjore ndërkombëtare, Veliaj po mbahet në paraburgim prej rreth pesë muajsh, pa një aktakuzë zyrtare dhe pa një vlerësim të qartë ligjor mbi nevojën apo proporcionalitetin e masës së arrestit. Sipas tyre, ai është i izoluar në IEVP Durrës dhe nuk ka pasur ende akses të drejtpërdrejtë me avokatët ndërkombëtarë.

Daniel Fetterman, ish-prokuror federal në SHBA dhe partner në firmën “Kasowitz LLP”, deklaroi se mbajtja e Veliajt në paraburgim pa një akuzë konkrete bie në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe me të drejtën për një proces të drejtë.

Edhe Ben Brandon, partner në firmën “Mishcon de Reya”, nënvizoi se masat e marra ndaj Veliajt janë në kundërshtim me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ndalon arrestimet arbitrare dhe kërkon proporcionalitet dhe arsye të forta për një masë të tillë.

Në një reagim nga qelia, Veliaj shprehu zhgënjimin për vendimin e Gjykatës së Lartë dhe deklaroi se do të vijojë betejën ligjore për të mbrojtur veten dhe për t’u rikthyer në detyrën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Firmat ligjore ndërkombëtare kanë bërë të ditur se po shqyrtojnë të gjitha rrugët ligjore brenda dhe jashtë vendit për të kundërshtuar këtë vendim.

Exit mobile version