Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore i ka dërguar dy kërkesa zyrtare OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, duke kërkuar mbështetje teknike dhe ekspertizë profesionale për hartimin e ndryshimeve në kuadër të reformës së re zgjedhore.
Bashkëkryetarët Damian Gjiknuri (PS) dhe Oerd Bylykbashi (PD) kërkojnë angazhim të ekspertëve të ODIHR-it për hartimin e ndryshimeve ligjore dhe adresimin e rekomandimeve të paplotësuara të zgjedhjeve të viteve të fundit.
Në letrën drejtuar ODIHR-it, ata nënvizojnë se Komisioni — ngritur me vendim të Kuvendit më 27 tetor 2025 — ka për detyrë të përgatisë reformën zgjedhore duke marrë parasysh rekomandimet e ODIHR-it, institucioneve përgjegjëse, partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Ju paraqesim kërkesën zyrtare për vënien në dispozicion të ekspertizës suaj nëpërmjet ekspertëve të ODIHR-it për të asistuar punën e Komisionit gjatë procesit të reformës”, thuhet ndër të tjera në letrën e bërë publike nga mediet.
Një tjetër letër, drejtuar Presidentes së Komisionit të Venecias, Claire Bazy-Malaurie, kërkon kontribut me rekomandime dhe ekspertizë nga organi këshillimor i këtij institucioni ndërkombëtar.
Një ditë më parë u konstituua Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili ka nisur formalisht punën për ndryshimet e pritshme në Kodin Zgjedhor.


