Parlamenti gjerman ka miratuar projektligjin për ndryshimet në shërbimin ushtarak, duke hapur rrugën për rikthimin e elementëve të rekrutimit të detyrueshëm në rast se Bundeswehr-i nuk arrin të plotësojë nevojat vetëm me vullnetarë. Ligji u votua me 323 pro, 272 kundër dhe 1 abstenim, dhe pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik 2027.
Ndërkohë, në të gjithë vendin po zhvillohen protesta studentore kundër modelit të ri. Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD), e mbrojti ligjin në Bundestag, duke theksuar se siguria e vendit kërkon angazhim real: “Gjermania nuk e mbron veten vetë, duhet ta bëjnë njerëzit që janë gati ta mbrojnë”, tha ai, duke përmendur edhe shtetet e tjera europiane që kanë rikthyer shërbimin e detyrueshëm.
Pistorius e vlerësoi faktin që të rinjtë protestojnë, duke e konsideruar shenjë angazhimi dhe ndërgjegjësimi.
Sipas sondazheve të fundit të YouGov, 53% e gjermanëve mbështesin versionin përfundimtar të reformës, ndërsa 37% janë kundër.
Me ligjin e ri, djemtë 18-vjeçarë do të detyrohen të plotësojnë një pyetësor mbi aftësitë dhe interesin për shërbimin ushtarak, ndërsa vajzat do ta kryejnë këtë proces vetëm në mënyrë vullnetare. Më pas parashikohen ekzaminime mjekësore dhe hartimi i listave të mundshme të rekrutëve për raste emergjence kombëtare.
Për të rritur interesin, qeveria synon ta bëjë shërbimin ushtarak më tërheqës: vullnetarët që angazhohen për të paktën 12 muaj do të paguhen 2,600 euro bruto në muaj. Objektivi është që deri në vitin 2035 Bundeswehr-i të arrijë 255–270 mijë ushtarë aktivë dhe të shtojë 200 mijë rezervistë të tjerë.

