Një ngjarje tragjike ka ndodhur në zonën e Shkopetit, ku një 23-vjeçar është gjetur i pajetë pranë liqenit. Viktima është raportuar i zhdukur nga babai i tij, i cili mbrëmjen e kaluar ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Mat, pasi djali nuk ishte kthyer në banesë.
Menjëherë pas denoncimit, forcat e policisë kanë nisur kërkimet intensive dhe pas disa orësh, kanë lokalizuar trupin e pajetë të të riut pranë liqenit të Shkopetit. Sipas dyshimeve paraprake, automjeti i tij mund të ketë rënë në liqen, çka ka sjellë edhe fatalitetin.
Policia bën me dije se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe opinionin publik, ndërsa autoritetet po punojnë për të hedhur dritë mbi shkaqet e kësaj tragjedie.


