Një ngjarje e rëndë është regjistruar rreth mesditës së sotme në afërsi të trasesë së hekurudhës që lidh Peqinin me Elbasanin, ku është gjetur një person i pajetë.
Sipas burimeve nga vendngjarja, trupin e viktimës e ka zbuluar një kalimtar, i cili ka njoftuar menjëherë policinë lokale.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, shërbimi zjarrfikës dhe ambulanca, të cilat kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë veprimet e para hetimore.
Aktualisht, viktima ende nuk është identifikuar, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes.
Burime nga policia bëjnë me dije se hetimet janë në vijim dhe pritet që në orët në vijim të zbardhen më shumë detaje mbi këtë ngjarje misterioze.


