Një operacion i gjerë i koduar “Ghost Call”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit pas një hetimi dyvjeçar në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europol, ka çuar në zbulimin dhe goditjen e disa bazave të dyshuara për mashtrime kompjuterike përmes call centerave në Tiranë.
Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, tre nga këto baza kanë qenë objekt hetimi të veçantë, ndërsa në dokument evidentohet edhe roli i operatorëve të komunikimeve elektronike gjatë procesit hetimor.
Në fokus të vendimit është kompania One Albania, për të cilën thuhet se nuk ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet, duke mos dorëzuar të dhënat mbi përdoruesit e adresave IP të dyshuara. Policia i ka dërguar disa kërkesa zyrtare kompanisë, duke i kujtuar edhe përgjegjësinë penale në rast mosbashkëpunimi, raporton Web Lajm.
Sipas dokumenteve, gjatë muajve kur mungoi përgjigjja e plotë nga kompania, aktiviteti i dyshuar i call centerave ka vijuar. Ndërkohë, operatorë të tjerë kanë vënë në dispozicion të dhënat e kërkuara, duke ndihmuar hetimin.
Nga ana e saj, në një përgjigje të dhjetorit 2024, One Albania ka deklaruar se adresat IP janë publike dhe se nuk ka kapacitete për identifikimin e përdoruesve pa të dhëna shtesë teknike.
Operacioni “Ghost Call” ka çuar në zbulimin e 12 ambienteve të përshtatura për këtë veprimtari, arrestimin e 10 personave dhe shpalljen në kërkim të disa të tjerëve. Gjithashtu, janë sekuestruar mbi 891 mijë euro, qindra pajisje elektronike dhe prova të tjera që dyshohet se lidhen me skemën e mashtrimit.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet shqiptare dhe austriake kanë ngritur një grup të përbashkët hetimor për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë.

