Nga Igli Çelmeta
Historia e Dinora Neçit dhe vajzës së saj Eleftheria. Një krim çnjerëzor, një fëmijë i rrëmbyer dhe një nënë që kërkon drejtësi!
Prej nëntë vitesh e gjysmë, Dinora Neçi, nënë shqiptare nga Berati, ka denoncuar pranë institucioneve shtetërore, ambasadave, konsullatave dhe mediave, krimin e rëndë që i është bërë asaj dhe vajzës së saj, Eleftheria Eleftheriou.
Me fakte dhe dokumente zyrtare, Dinora ka bërë publike një akt gjenocidi që po konsumohet ndaj saj dhe vajzës së mitur, të rrëmbyer nga babai biologjik greko-qipriot dhe të mbajtur peng prej më shumë se nëntë vitesh në Qipro.
Ajo ka kërkuar me ngulm që rasti të bëhet publik në të gjitha nivelet, pasi nuk është një rast i zakonshëm, por një çështje me përmasa ndërkombëtare që godet themelet e drejtësisë evropiane. Në këtë krim janë përfshirë autoritetet policore të shtatë shteteve: Qipro, baza ushtarake britanike Dekelia, Belgjika, Italia, Shqipëria, Gjermania dhe Greqia, konkretisht autoritetet e aeroportit të Athinës.
SPAK ka marrë kallëzimin e saj me email, por e ka kthyer mbrapsht me arsyetimin absurd se “email-i është i mbushur”. Dinora ka bërë me dije se do ta dërgojë sërish kallëzimin me postë, duke shpresuar që drejtësia të nisë më në fund hetimin.
Në vitin 2022, ajo ka bërë kallëzim në Policinë e Beratit, por nuk është pranuar. Ka ankimuar në AMP, e cila jo vetëm nuk ndërmori asnjë veprim, por i ktheu përgjigje në kundërshtim me ligjin. Të gjitha këto, Dinora i ka të dokumentuara.
Rrëmbimi dhe zhdukja e vajzës Eleftheria Eleftheriou
Pas lindjes së vajzës, u organizua një martesë e falsifikuar në Qipro, në datat 14–17 maj 2010, pa dijeninë e Dinorës, përmes dokumenteve të rreme dhe bashkëpunimit me autoritetet qipriote. Martesa ilegale shërbeu si bazë për rrëmbimin dhe zhdukjen e vajzës. Dinora u mashtrua se ishte ligjërisht e martuar me Nikolas Eleftheriou, mashtrim që e zbuloi vetëm pas 4 vitesh.
Dinora ka deklaruar se i mbijetoi një tentative për abort të organizuar përmes analizave të manipuluara nga babai biologjik i vajzës, me ndihmën e një gjinekologeje ruse në Nikosia. Pavarësisht përpjekjeve për ta dëmtuar, ajo luftoi për jetën e vajzës dhe për katër vite (2011–2015), nënë e bijë mbetën peng në Qipro nën trajtime çnjerëzore nga autoritetet.
Në bashkëpunim me zyrtarë të Zyrës së Regjistrimit Civil në Larnaka, fëmija u regjistrua si “greke”, me mbiemrin e babait, pa dijeninë apo miratimin e nënës. Më 15 mars 2014, Dinora dhe vajza e saj 4-vjeçare arritën të arratisen nga banesa ku mbaheshin në kushte çnjerëzore në Ksilofagou, Larnaka.
Përndjekja ndërkombëtare dhe burgosja
Pas arratisjes, Dinora u arrestua për 7 muaj në Gjermani dhe Qipro, si pasojë e lidhjeve korruptive që babai i vajzës kishte me zyrtarë publikë në disa shtete. Ajo u mbajt padrejtësisht në burg në Gjermani për katër muaj, dhe më pas u trafikua drejt Qipros, ku u mbajt tre muaj të tjerë në burg.
Pavarësisht këtyre persekutimeve, Dinora figuron e pastër në certifikatën gjyqësore sipas sistemit ECRIS të BE-së.
Shteti shqiptar. Bashkëpunëtor në krim?
Dinora u është drejtuar vazhdimisht autoriteteve më të larta shqiptare presidencës, qeverisë, policisë, diplomacisë por për nëntë vite është përballur me heshtje dhe shpërfillje.
Autoritetet shqiptare kanë favorizuar greko-qipriotin Eleftheriou, duke e paraqitur me dokumente të falsifikuara si bashkëshort të Dinorës. Ndërkohë, certifikatat shqiptare të gjendjes civile tregojnë se vajza është shtetase shqiptare dhe nën kujdestarinë e vetme të nënës së saj.
Një funksionar i lartë i Policisë së Shtetit i ka pohuar Dinorës se nuk mund të ndihmonte, për shkak të ndikimit financiar të Nikolas Eleftheriou dhe mungesës së mbështetjes nga shteti shqiptar.
Manipulimi i sistemit TIMS dhe zhdukja nga sistemi
Policia shqiptare ka fshirë të dhënat e vajzës nga sistemi elektronik TIMS në vitin 2019, duke hequr emrin e nënës, shtetësinë, vendin dhe qytetin e lindjes. Ky manipulim është bërë për të favorizuar rrëmbimin dhe zhdukjen me forcë të fëmijës.
Nëse Dinora tenton të udhëtojë drejt Qipros për të marrë vajzën, ajo nuk rezulton në sistem si nënë e saj. Këto janë prova e qartë e një krimi të organizuar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare, qipriote dhe gjermane.
Pastrimi i parave dhe mashtrimi financiar
Nikolas Eleftheriou ka hapur një llogari bankare në emrin e Dinorës në një bankë qipriote ndërkohë që ajo mbahej peng. Dinora ka kontaktuar bankën për të mbyllur llogarinë, por operatorët kanë refuzuar t’i japin informacion.
Kjo llogari mund të jetë ende aktive dhe në përdorim për pastrim parash, ndërsa autoritetet shqiptare heshtin.
Apel për drejtësi dhe veprim
Është i domosdoshëm një reagim i fuqishëm i mediave dhe një ndërhyrje urgjente e autoriteteve shqiptare. Vajza duhet të rikthehet pranë nënës së saj, atje ku ligjërisht i takon të jetë.
Ky rast nuk është thjesht një konflikt familjar është një krim shtetëror me pasoja të rënda për të ardhmen e drejtësisë shqiptare dhe të drejtave të njeriut në Europë.


