Shqipëria po tërheq fuqinë punëtore nga jashtë, me rreth 13 mijë të huaj të pajisur me leje pune, sipas të dhënave të fundit nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë krahasuar me vitet e mëparshme dhe tregon një rritje të punësimit të të huajve, sidomos në sektorin e turizmit.
Ekspertja e tregut të punës, Ergesta Stërmasi, thekson se pjesa më e madhe e këtyre punonjësve vijnë nga Turqia, Egjipti, Filipinet, India, Kina dhe Ukraina. Ajo shton se kjo është një zgjidhje afatshkurtër, pasi fokus i vërtetë duhet të jetë te të rinjtë shqiptarë.
Sa i kushton një punonjës i huaj? “Përfshirë transportin, procedurat ligjore dhe akomodimin, një punonjës i huaj kushton deri në 3,500 euro”, sqaron Stërmasi.

Përveç punësimit, rritet edhe kërkesa për leje qëndrimi në vend. Në vitin e fundit, 13,176 persona kërkuan leje qëndrimi, kryesisht nga Itali, India, Turqia dhe Kosova.
Shqipëria po bëhet gjithnjë e më atraktive për të huajt, por sfida mbetet integrimi dhe mbështetja e forcës punëtore vendase.


