Fluksi i mjeteve dhe qytetarëve në pikën kufitare të Morinit është i lartë. Destinacioni i pjesës më të madhe të qytetarëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë në këtë fundjavë mbetet bregdeti shqiptar, por edhe qytete të tjera historike e kulturore.
Policia kufitare rriti numrin e sporteleve si pasojë e kolonës së gjatë të mjeteve që krijohej herë pas herë
Për mjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë kalimi i kufirit bëhet pa kontrolle sipas procedurës dhe marrëveshjes ndërqeveritare për periudhën nëntë mujore, duke shmangur edhe radhët apo pritjet në kufi.
Kontrollohen vetëm mjetet me targa të huaja. Kjo procedure në fakt nisi nga kjo javë edhe në pikat e tjera kufitare të Shqipërisë me Kosovën Qaf Morinë Tropojës, Qaf prushi e Hasit, Shishtaveci, Borja e Orgjosti i Kukësit.
Pavarësisht kësaj procedure, fluksi ishte i madh duke krijuar kolona herë pas here. Ende nuk ka statistikë për dhjetëditëshin e parë të muajit korrik, por numri mendohet të jetë më i lartë se e njëjta periudhe e vitit të kaluar.
Të paktën muaji qershor i vitit është mbyllur me 44 mijë shtetas më shume se qershori i vitit të kaluar.
Përkatësisht në muajin qershor 2024 kanë hyrë në territorin e Shqipërisë përmes pikës kufitare të Morinit 580.633 shtetas dhe 181.594 mjete.
Në qershor 2023 kanë hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinit 536.654 shtetas dhe 144.877 mjete.
Në muajin qershor 2024 pothuajse janë të njëjtat shifra edhe në dalje ku janë regjistruar 553.825 shtetas dhe 178.577 automjete, ndërsa në qershor 2023 në dalje të territorit të Shqipërisë përmes pikës kufitare të Morinit janë regjistruar 545.877 shtetas dhe 199.124 mjete.
Kujtojmë se vitin e kaluar në shifrat e publikuara nga shërbimet e policisë kufitare Shqipëri – Kosovë, në pikën e përbashkët kufitare të Morinit u regjistruan pak më shumë se 5.5 milion shtetas përgjatë sezonit të verës.