Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së ka bërë publike vendimet e fundit pas incidentit në ndeshjet e javës së kaluar. Masat përfshijnë gjoba financiare dhe pezullime për sjellje josportive të lojtarëve, zyrtarëve dhe tifozëve.
Tirana dhe Partizani janë të detyruar të dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuara në stadiumin “Arena Kombëtare” nga tifozët gjatë derbit të kryeqytetit, brenda 15 ditëve. Ndërsa Flamurtari u gjobit me 50.000 lekë për ndezje flakadanësh dhe mjete piroteknike që shkaktuan vonesa në fillimin e lojës.
Përveç klubeve të mëdha, pezullime dhe gjoba u vendosën edhe për lojtarë dhe zyrtarë të ekipeve të tjera, si:
Zyrtarët e KF Tërbuni dhe KF Tepelena, për sjellje josportive dhe kërcënime ndaj zyrtarëve, u pezulluan nga disa ndeshje deri në një vit.
Lojtarët e KF Klosi, KF Tirana U-18, KF Pogradeci U-17 dhe Partizani Femra morën pezullime nga 3 deri në 15 ndeshje për sjellje të dhunshme ndaj kundërshtarëve.
Disa ekipe, si TR 19 Akademi U-11 dhe KF Bylis B, humbën ndeshjet në tavolinë për mosrespektim të rregullave.
Komisioni sqaroi se vendimet synojnë rritjen e disiplinës dhe përgjegjësisë në mjediset sportive dhe lejohet ankimimi brenda 3 ditëve nga vendimi.

