Situata në njësinë Skënderbegas të Gramshit mbetet kritike për shkak të zjarreve që përhapen nga fshati në fshat. Deri tani, 39 banesa janë shkrumbuar dhe sipërfaqe të mëdha pyjore e shkurresh janë përfshirë nga flakët, ndërsa dhjetëra bagëti kanë mbetur të rrethuara nga zjarri.
Për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve, ekipet e Ministrisë së Bujqësisë kanë nisur groposjen e kafshëve të ngordhura që janë djegur. Veprimet janë të domosdoshme, edhe pse situata është emergjente.
Për shuarjen e zjarrit po punojnë mbi 350 efektivë, të mbështetur edhe nga helikopterët. Flakët kanë hyrë mesditën e sotme në fshatin e tetë të njësisë administrative, ndërsa evakuimet e banorëve kanë nisur. Megjithatë, disa banorë kanë kundërshtuar largimin dhe kanë qëndruar për të mbrojtur shtëpitë e tyre, duke e vështirësuar punën e zjarrfikësve.
“Kryesorja është që banorët të ruajnë gjakftohtësinë dhe të besojnë tek ekipet e emergjencës. Apeli ynë është që të largohet edhe banori i fundit. Në disa raste kemi përdorur edhe forcën,” tha kryebashkiaku i Gramshit, Besjon Ajazi.
Autoritetet bëjnë thirrje që të gjithë banorët të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen drejt zonave të sigurta.


