Nga aeroporti “Nënë Tereza”, Fredi Beleri vetëm pak momente para nisjes drejt Athinës dhe më pas drejt Francës, ku do të betohet si eurodepute, foli për mediat ku bëri të ditur se do të ndjekë të gjitha hallkat për të fituar pafajësinë e tij.
“Do të ankimoj në çdo hallkë të drejtësisë shqiptare dhe po nuk gjeta drejtësi, deri në Strasburg. Herët apo vonë dëshira e sovranit respektohet.”–deklaroi ai.
Pjesë nga prononcimi për mediat:
Beleri: Po iki drejt Athinës për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të PE në Strasburg. Nesër atje ka vendime të rëndësishme. Besoj se që këtej e tutje do ti kthehem normalitetit.
Pyetje: Ju nuk u lejuat të betoheshit në Shqipëri, por lejoheni të përfaqësoni grekët, cfarë do të thotë kjo?
Beleri: Për mua ka pasur dy standarde nga ana e drejtësisë dhe vazhdojnë akoma.
Pyetje: Cfarë qëndrimi do të mbani për zgjedhjet në Himarë
Beleri: Herët a vonë dëshira e sovranit respektohet. Më 4 gusht himariotët do t’i japin akoma një përgjigje. Dëshira e tyre do respektohet dhe rezultati do pasqyrohet.
Tre ditë më parë ishte media greke që publikoi lajmin se është dhënë një leje për Belerin për të fluturuar drejt Strasburgut, ndërsa Drejtoria e Burgjeve tha se kërkesa është ende në shqyrtim, por të dielën ka bërë njoftimin zyrtar të lejes për të.
Kujtojmë se Fredi Beleri është njëri nga eurodeputetët e Demokracia e Re, partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së. Vetëm pak ditë më parë ai u bëri një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e PE, që do të mbahet më 15 korrik.Fredi Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023./Radar.al