Franca nuk do të marrë pjesë në iniciativën e mbështetur nga NATO, e cila synon që vendet evropiane të financojnë blerjen e armëve amerikane për Ukrainën. Vendimi i Parisit lidhet ngushtë me qëndrimin e Presidentit Emmanuel Macron për të forcuar industrinë e mbrojtjes së Bashkimit Evropian dhe për të rritur prodhimin vendas të armëve, raportojnë burime franceze për Politico.
Plani i NATO-s parashikon dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë nga rezervat ekzistuese të aleancës, të cilat më pas do të zëvendësohen me pajisje të reja të blera nga SHBA. Qëllimi është të përshpejtohet ndihma ushtarake për Kievin në një moment kritik të luftës me Rusinë.
Por për Parisin, kjo strategji bie ndesh me përpjekjet për të ulur varësinë e Evropës nga industria ushtarake amerikane dhe për të reduktuar borxhin publik, ndërsa Franca po përpiqet të balancojë buxhetin e saj kombëtar dhe të rrisë kapacitetet e mbrojtjes kombëtare.
Në anën tjetër, Gjermania ka dalë si një prej mbështetësve më të fortë të planit. Kancelari Friedrich Merz ka theksuar rolin kyç të Berlinit në dërgesat e armëve, ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një vizite në Uashington, rikonfirmoi angazhimin e Gjermanisë për të përforcuar mbrojtjen evropiane në bashkëpunim me SHBA-në.
Gjermania është gjithashtu duke negociuar për blerjen e raketave me rreze të gjatë veprimi Typhoon nga SHBA, si dhe ka premtuar financimin e dy sistemeve shtesë Patriot për Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka përmendur Mbretërinë e Bashkuar, Holandën dhe katër vende nordike si pjesë e vendeve që mbështesin këtë skemë të re.
Presidenti Donald Trump, nga ana e tij, ka deklaruar se Evropa dhe NATO do të mbulojnë të gjitha kostot për armët e dërguara nga SHBA, duke theksuar se “Amerika do të marrë paratë e saj mbrapsht plotësisht”.


