Në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, atmosfera është mbushur sot me flamuj kuqezi, uniforma të UÇK-së dhe thirrje për liri. Qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare janë mbledhur në kryeqytet për të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Të rreshtuar përpara bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, veteranët e UÇK-së e kanë nderuar me përulësi, ndërsa turma ka shpërthyer në brohoritje:
“UÇK-ja jemi ne, kush është trim, e kush është djalë, zot atdheut ka me i dalë!”
Protesta, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së nën moton “Liria ka emër”, ka mbledhur pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, që i bëjnë jehonë thirrjes për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.






