Qeveria ka miratuar një vendim të ri që synon përmirësimin e sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare. Sipas vendimit, gjimnazet dhe shkollat e tjera që kanë më shumë se 900 nxënës do të kenë të detyrueshëm praninë e dy oficerëve sigurie.
Në institucionet me numër më të ulët nxënësish, do të ketë gjithashtu mbulim sigurie të përshtatur sipas numrit të nxënësve:
Në gjimnazet, shkollat profesionale dhe ato të mesme të orientuara me mbi 80 nxënës, do të vendoset një oficer sigurie.
Shkollat e arsimit bazë dhe të bashkuara me mbi 350 nxënës do të kenë gjithashtu një oficer sigurie.
Ndërsa për shkollat profesionale me mbi 700 nxënës, do të caktohen dy oficerë sigurie.
Oficerët e sigurisë do të angazhohen në monitorimin dhe bashkëpunimin me nxënësit, stafin mësimor dhe komunitetin për të garantuar një mjedis të sigurt shkollor. Institucionet që përfitojnë këtë shërbim do të përcaktohen me urdhër të ministrit përkatës për arsimin, ndërsa për shkollat profesionale, miratimi bëhet në bashkëpunim me ministrin përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional.
Vendimi parashikon që shpenzimet për oficerët e sigurisë të mbulohen brenda fondeve të miratuara të ministrive përkatëse, pa krijuar nevojë për buxhete shtesë.
Zbatimi i këtij vendimi do të jetë përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.