DURRËS
Java e fundit ka shënuar kulmin e mbërritjeve për sezonin veror në Portin e Durrësit. Nga 6 gushti deri në paraditen e sotme, mbi 30 mijë udhëtarë dhe rreth 10 mijë automjete kanë hyrë në Shqipëri përmes trageteve, kryesisht shqiptarë të diasporës dhe turistë të huaj.
Vetëm gjatë periudhës së mërkurës deri të dielën, tragetet e linjave Durrës–Bari dhe Durrës–Ankona kanë transportuar 29,424 pasagjerë dhe 9,469 automjete. Për të përballuar kërkesën, kompanitë detare kanë dyfishuar numrin e lundrimeve në gjashtë tragete në ditë, duke e bërë këtë javë më të ngarkuarën e sezonit.
Edhe daljet kanë qenë të shumta, megjithëse më të ulëta se hyrjet. Në të njëjtën periudhë, drejt Italisë kanë udhëtuar 18,664 pasagjerë dhe 5,573 automjete.
Në total, gjatë këtyre ditëve janë regjistruar rreth 50 mijë pasagjerë dhe mbi 15 mijë automjete që kanë kaluar nëpër portin më të madh të vendit. Pas 15 gushtit pritet të nisë fluksi i kthimit, kryesisht i emigrantëve dhe turistëve pas përfundimit të pushimeve.
Radar.al

