Porti i Vlorës ka hyrë zyrtarisht në sezonin e ngarkuar veror me një rritje të ndjeshme të hyrjeve nga Italia. Vetëm mëngjesin e sotëm, sipas Kapitenerisë së Portit, kanë mbërritur 599 udhëtarë dhe 120 automjete me tragete nga vendi fqinj.
Pjesa më e madhe e pasagjerëve janë emigrantë shqiptarë që rikthehen për pushime, por nuk mungojnë as turistët e huaj të interesuar për të eksploruar bregdetin shqiptar, i cili çdo vit po fiton më shumë popullaritet.
Autoritetet portuale kanë marrë masa shtesë për menaxhimin e fluksit, duke përshpejtuar proceset e përpunimit të pasagjerëve dhe automjeteve. Sipas Kapitenerisë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, lëvizja nga Italia ka shënuar një rritje të dukshme dhe kulmi pritet në javët e ardhshme të korrikut dhe gushtit.


