Qarkullimi i automjeteve në Rrugën e Arbrit paraqitet i rënduar gjatë këtyre ditëve, veçanërisht në segmentin nga Shkalla e Tujanit deri në hyrje të Tiranës, si pasojë e fluksit të lartë të emigrantëve që po kthehen në vendlindje për pushimet e fundvitit.
Në këtë aks rrugor po qarkullojnë jo vetëm automjete nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe mjete që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, çka ka rritur ndjeshëm ngarkesën në qarkullim dhe ka shkaktuar vonesa në lëvizje.
Policia Rrugore ndodhet në terren dhe po punon për menaxhimin e trafikut dhe garantimin e sigurisë rrugore, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të respektojnë sinjalistikën, të ruajnë distancën dhe të tregojnë durim gjatë udhëtimit.

