Situata në Parkun e Syrit të Kaltër është bërë alarmante, pasi zjarret janë përhapur me shpejtësi duke detyruar evakuimin urgjent të turistëve.
Zjarrfikësit po luftojnë për të frenuar vatrën, ndërsa rreziku për fshatin Dhrovjan është shmangur për momentin. Flakët, të shtyra nga era dhe temperaturat e larta, po ngjiten drejt lartësive të malit, duke rrezikuar zonat përreth Bashkisë Dropull.
Në terren po operon një helikopter “Black Hawk” me hedhje të vazhdueshme uji, ndërsa dy avionë “Canadair” janë nisur nga Greqia për të asistuar në shuarjen e zjarreve pranë Leshnicës dhe Syrit të Kaltër.
“Nëse nuk ndërhyhet me shpejtësi, zjarri mund të marrë përmasa katastrofike për zonën tonë,” paralajmëroi nënprefekti i Vlorës, Kristaq Kiço. Ai theksoi se që prej mëngjesit, forcat e emergjencës janë në terren, por përhapja është e favorsuar nga kushtet ekstreme të motit.
Autoritetet kanë bllokuar sërish rrugën nacionale drejt Qafës së Muzinës dhe po largojnë vizitorët nga zona.
Prej javësh, Shqipëria po përballet me një valë zjarresh, veçanërisht kritike në jug, ku pisha e dendur dhe thatësira krijojnë skenarin ideal për përhapje të shpejtë të flakëve.


