Trajneri kampion bote me Argjentinën në ‘Katar 2022’, Lionel Scaloni, po i përjeton edhe katër vite më pas të njëjtat emocione. Sërish në stolin e ‘Albiceslestes’, Scaloni do të sfidohet nga Spanja e mikut të tij Luis de la Fuente në finalen e Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet të dielën në orën 21:00.
Scaloni foli për përgatitjet, rivalin, Messin, tifozët dhe pritshmëritë.
“Ne përgatitemi në të njëjtën mënyrë si për çdo ndeshje tjetër. Jemi të etur që gjithçka të shkojë mirë, të gatshëm të analizojmë kundërshtarin dhe të shohim çfarë mund të bëjmë gjatë ndeshjes. Përtej faktit që është një finale, mbetet një ndeshje futbolli”, tha ai.
Lionel Scaloni thekson se çfarë i duhet Argjentinës për të pasur sukses.
“Duhet të jemi në nivelin tonë më të mirë për të fituar. Nuk hyjmë në ndeshje duke menduar se është një finale e Kupës së Botës, sepse përndryshe mund të humbasësh përqendrimin. Do të shohim çfarë do të ndodhë”, vijoi trajneri.
Ai analizoi edhe formën aktuale të skuadrës.
“Mendoj se ekipi ka treguar gjëra shumë pozitive, sidomos në ndeshjet e fundit. Pjesa e dytë kundër Anglisë ishte shumë e mirë. Besoj se jemi në një gjendje të mirë, megjithëse gjithmonë ka gjëra për të përmirësuar. Do të përpiqemi të fitojmë finalen”, tregoi Scaloni.
Natyrisht, ai vlerësoi pasionin e tifozëve argjentinas.
“Kur sheh njerëzit e tu duke festuar, kur sheh sa të lumtur janë, kjo të prek thellë dhe është e pamundur të mos e ndjesh në zemër. Në fund të fundit, siç e kam thënë edhe më parë, ne luajmë për ta. Luajmë për popullin tonë, për familjet tona.Për ata që presin të shohin kombëtaren. Kemi rikthyer diçka që besoj se është shumë e çmuar, njerëzit ulen para televizorit me fanellën e Argjentinës veshur dhe një tifoz i River Plate përqafon një tifoz të Boca Juniors. Ne e ndiejmë këtë dhe e mbajmë gjithmonë në mendje. Si mund të mos të prekë?”, tha ai.
Scaloni foli edhe për ngjashmëritë dhe dallimet mes Spanjës dhe Argjentinës.
“Luis më njeh si njeri, por nuk e di se si e shoh unë futbollin. Ne e dimë si luajnë ekipet tona, por nuk kemi diskutuar kurrë për mënyrën se si ndërtojmë lojën. Secila skuadër ka veçoritë e veta, por kemi një qasje të përbashkët, sulmojmë duke mbajtur topin.
Kemi modele të ngjashme loje. Forcën tonë e ndërtojmë përmes kontrollit të topit dhe në këtë aspekt, është e vërtetë që ngjajmë. Shpresoj që të dielën të jetë një spektakël i madh”, tregoi ai.
Ai është skeptik për rëndësinë e përvojës në një finale.
“Edhe Spanja ka lojtarë që kanë luajtur në skena të mëdha, futbollistë të nivelit më të lartë në klubet e tyre. Kur topi fillon të rrotullohet, lojtari harron gjithë presionin dhe gjithçka tjetër. Nuk mendoj se përvoja është një avantazh apo një pengesë. Janë dy ekipe që, sapo zbresin në fushë, përpiqen të luajnë futbollin e tyre përmes zotërimit të topit”, tha Scaloni.
Trajneri argjentinas tha se e ka studiuar me kujdes kundërshtarin.
“Po, i kemi analizuar sepse mund të përballeshim me ta që në mars (Finalissima), por jo më shumë se ekipet e tjera. Kemi studiuar të gjithë kundërshtarët e mundshëm të Kupës së Botës që prej dhjetorit. Kishte shumë skuadra që i analizuam në rast se do të luanim kundër tyre. Gjithsesi, analizimi i tepërt nuk është i mirë. E dimë si luajnë, i njohim pikat e tyre të forta dhe do të përpiqemi t’i pengojmë”, vijoi Scaloni.
Sipas tij, te Spanja çdo gjë mund të jetë shqetësuese.
“Nuk do t’ju tregoj çfarë i thashë de la Fuentes, sepse ishim në një situatë krejt të pazakontë, në mes të askundit. I thashë se kisha ardhur vetëm për ta takuar, përndryshe nuk do të kisha shkuar. Gjëra të tjera nuk mund t’i tregoj. Çfarë më shqetëson më shumë te Spanja? Edhe autobusi që del nga hoteli më shqetëson. Janë një ekip i madh, një kombëtare e jashtëzakonshme. Po kalojnë një periudhë shumë të mirë me Luisin dhe jam i lumtur për ta”, tregoi ai.
Scaloni nuk deshi të komentonte nëse kjo do të jetë Kupa e fundit e Botës për Lionel Messin.
“Si mund ta di unë? Duhet ta pyesni atë. Nuk kam asnjë ide, sepse ai nuk resht së na surprizuari. Kjo është një pyetje për të.”
Ai vlerësoi edhe paraqitjen e Messit në moshën 39-vjeçare.
“Ai është histori e pastër. Histori, legjendë… Kur ai thotë ato fjalë, kur ato dalin nga goja e tij, më mbush me krenari. Që futbollisti më i madh që ka parë ndonjëherë bota të mendojë kështu, është diçka e mrekullueshme.
Të arrish në një finale në moshën 39-vjeçare është diçka e pabesueshme. Prandaj kam thënë se duhet ta shijojmë këtë moment dhe ta vlerësojmë atë që po bën. Historia dhe legjenda është ai, por edhe ky grup lojtarësh që na kanë dhuruar vite të mrekullueshme.
Edhe pse shumë njerëz mendojnë se futbollistët argjentinas e kanë të lehtë ta arrijnë këtë, në të vërtetë është jashtëzakonisht e vështirë. Në një bisedë i thashë: ajo që keni bërë është e pabesueshme. Stafi ynë teknik do t’ju jetë përjetësisht mirënjohës. Shpresojmë të fitojmë, por edhe nëse nuk ndodh, rrugëtimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Një shembull për të gjithë”, përfundoi bisedën për mediet trajneri i Argjentinës.


