Në kuadër të operacionit të koduar “De facto”, janë sekuestruar dy apartamente dhe një garazh, me vlerë tregu rreth 420 000 euro, të dyshuara se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sekuestrimi u krye në vijim të një hetimi pasuror të zhvilluar me metoda speciale, në zbatim të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Hetimi u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Me vendim të Gjykatës u ekzekutua masa e sekuestrimit për dy apartamente dhe një garazh, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i shtetasit H. (A.) A., 54 vjeç, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Hetimet vijojnë për identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera me burim kriminal që mund t’i përkasin 54-vjeçarit ose personave të lidhur me të.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.


