Fermerët në Fier dhe Roskovec po përballen me humbje të mëdha pas një sezoni të vështirë të kultivimit të bostanit. Mungesa e tregut dhe çmimet e ulëta kanë bërë që dhjetëra hektarë me shalqinj të mbeten pa u vjelë, duke kthyer mundin e tyre në dështim ekonomik.
Gëzim Buzi nga Kallmi i Fierit ka mbjellë tre hektarë me shalqi të varieteti “Xhoker”, por rreth 1,000 kuintal prodhim kanë mbetur në arë, me një dëm që sipas tij kalon 20 milionë lekë të vjetra. “Nuk ka treg. Tregtarët na marrin shalqirin me 50 lekë të vjetra për kilogram dhe e shesin me 250. Fitimi i tyre është i paimagjinueshëm, ndërsa ne mbetemi me humbje. Shteti duhet të kontrollojë tregun,” thotë ai.
E njëjta panoramë paraqitet edhe në Suk të Roskovecit, ku Mehmet Malko, 74 vjeç, ka kultivuar pesë dynym, por fitimi i këtij sezoni mezi arrin një milion lekë të vjetra. “Nuk laj dot as plehrat e punimet. Sivjet është mbjellë shumë bostan, nuk ka kërkesë nga jashtë. Fermerët po falimentojnë dhe shumë do ta braktisin këtë kulturë,” shprehet ai.
Sipas prodhuesve, rreth 80% e fermerëve në zonë nuk kanë shitur asnjë frut këtë vit. Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të rregulluar tregun, shmangur abuzimet dhe orientuar kultivimin sipas kërkesave reale. Në të kundërt, paralajmërojnë se shalqiri rrezikon të mos mbillet më, pasi humbjet i kanë detyruar shumë prej tyre të futen në borxhe e kredi.


