Protesta e fermerëve grekë do të sjellë sot bllokimin e përkohshëm të një prej akseve kryesore që lidh Shqipërinë me Greqinë. Për katër orë me radhë, rruga nacionale “Kapshticë–Selanik” do të jetë e mbyllur për qarkullim.
Policia Kufitare e Korçës njoftoi se, sipas informacionit të marrë nga Policia Kufitare Greke përmes qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit në Gjirokastër, aksi do të bllokohet më 30 dhjetor 2025, nga ora 12:00 deri në 16:00, sipas orës greke.
Mbyllja e rrugës vjen si pasojë e protestës së fermerëve grekë në pjesën veriperëndimore të vendit fqinj. Autoritetet bëjnë me dije se gjatë kësaj periudhe qarkullimi nuk do të lejohet në rrugën kryesore, ndërsa lëvizja do të realizohet vetëm përmes rrugëve dytësore.
“Do të funksionojnë vetëm rrugët dytësore për veturat”, sqaroi policia, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve që të planifikojnë udhëtimet e tyre në përputhje me këtë kufizim të përkohshëm.

