OJQ-ja “Mediterranea Saving Humans” ka publikuar në rrjetet sociale një video të publikuar nga Refugjatët në Libi, në të cilën shihet një fëmijë teksa endet zbathur në shkretëtirën e Saharasë, diku midis Libisë dhe Çadit.
“Ne ndajmë këtu videon e publikuar nga @refugeesinlibya: një fëmijë u gjet i vetëm, duke ecur zbathur në shkretëtirën e Saharasë diku midis Libisë dhe Çadit – shkruan Saving Humans në tekstin e videos – Ai nuk ishte i mbrojtur brenda mureve të shtëpisë së tij, as në krahët e një prindi. Por i vetëm, në mes të shkretëtirës”.
“Djali në këtë video nuk ka kryer asnjë krim. I vetmi krim i tij është të lindë me lëkurë të zezë në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Në një botë që ende i gjykon njerëzit sipas pasaportës, ngjyrës së lëkurës dhe fitimit. Krimi i tij i vetëm është të qenit i varfër në një sistem të krijuar për të fshirë të varfrit. Ne nuk e dimë emrin e tij, por ne e dimë se çfarë e ka çuar atje”.
“Prindërit e tij mund të jenë rrëzuar pas tij, të rraskapitur, të dehidratuar ose të përzënë ose të zhdukur gjatë grumbullimeve masive dhe dëbimeve të fundit të afrikanëve me ngjyrë nga milicitë në Libi. Ndoshta ata u arrestuan ose u vranë dhe u hodhën në varre masive në Gharyan dhe Sikka. Ose ndoshta u lanë të vdisnin, si shumë të tjerë, në tokën e askujt që Europa paguan për ta mbajtur të padukshme. Ky fëmijë, ndoshta jo më shumë se pesë vjeç, me historinë e tij përfaqëson shembjen e çdo shtylle morale që Libia dhe Evropa pretendojnë se respektojnë”.
“Ky nuk është një aksident. Është diskriminim racor, i institucionalizuar dhe i financuar nga vetë Evropa, e cila do të donte t’i jepte botës mësime për të drejtat e njeriut”, përfundon Saving Humans në ankesën e saj.