Site icon Informohu siç duhet

“Fasada” në Tiranë/ Zbulohet call center për mashtrime me bursa fiktive, 2 në pranga dhe 12 nën hetim

Një tjetër rast i mashtrimit ndërkombëtar përmes investimeve në bursa fiktive është goditur në Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fasada”.

Aksioni është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një apartament në rrugën Rruga Sulejman Delvina, i cili ishte përshtatur si call center dhe përdorej për mashtrimin e shtetasve të huaj, duke i nxitur të investonin në platforma të rreme financiare.

Në flagrancë janë kapur dhe vënë në pranga dy administratorët e ambientit, shtetasit A. R., 44 vjeç, dhe L. M., 26 vjeç. Ndërkohë, 12 operatorë që ushtronin aktivitetin e paligjshëm janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Sipas hetimeve paraprake, apartamenti ishte marrë me qira nga A. R., i cili në bashkëpunim me L. M. e kishte kthyer në bazë operative për këtë skemë mashtrimi.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 19 njësi kompjuterike, 2 aparate celularë dhe 1 DVR, të cilat dyshohet se përdoreshin për realizimin e aktivitetit kriminal.

Në bashkëpunim me Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar për të goditur çdo formë të mashtrimit financiar dhe për të mbrojtur qytetarët, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij.

Exit mobile version