Mbi 6,000 persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre në veri, qendër dhe jug të Spanjës, ndërsa vendi po përballet me një kombinim të temperaturave ekstreme dhe zjarreve shkatërrimtare. Termometrat pritet të ngjiten deri në 44°C, duke krijuar, siç e quajnë shkencëtarët, një “koktej molotov” klimatik që ushqen flakët në mbarë Evropën.
Në Tres Cantos, pranë Madridit, një burrë humbi jetën pasi pësoi djegie në 98% të trupit.
Në Castilla y León, mbi 3,700 njerëz u evakuuan nga 16 bashki, ndërsa flakët dëmtuan edhe sitin e mbrojtur nga UNESCO, minierat romake të Les Médulas. Në Tarifa, 2,000 të tjerë u detyruan të largohen, teksa zjarrfikësit e mbështetur nga avionët vijojnë betejën me flakët.
Kryeministri Pedro Sánchez shprehu ngushëllime për viktimat dhe paralajmëroi se “rreziku nga zjarret është ekstrem” duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.
Kriza nuk kufizohet vetëm në Spanjë. Portugalia po lufton tre vatra të mëdha zjarri, me ndihmën e avionëve të dërguar nga Maroku. Në Itali, ku termometri po prek 40°C, një fëmijë 4-vjeçar humbi jetën nga goditja e të nxehtit. Flakë të mëdha janë regjistruar edhe në Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci dhe Turqi, duke shkaktuar mijëra evakuime dhe dhjetëra të plagosur.
Evropa po jeton një gusht të zjarreve dhe nxehtësisë ekstreme, me emergjencat që shtrihen nga Mesdheu në Atlantik, dhe pa asnjë shenjë lehtësimi në horizont.
Radar.al


