Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pas aksionit të Policisë së Fierit, ku u vunë në pranga gjashtë persona dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim, për skemat piramidale online që prej muajsh funksiononin në këtë qark.
Braçe, i cili prej korrikut e gushtit ka denoncuar vazhdimisht rastet e kompanive mashtruese si Txex, Xuex, Grokr e të tjera, tha se reagimet e tij shpesh u përballën me skepticizëm dhe sulme personale, por zhvillimet e fundit e vërtetuan situatën.
“Unë kam zgjedhur të them të vërtetën, pa menduar kujt i pëlqen e kujt jo. Fola sepse rreshti i piramidës në meskorrik e mesgusht u bë shumë i gjatë – përpiu edhe emigrantë brenda. Fola sepse e kam jetuar 1994, 1995, 1996, 1997 dhe e di fare mirë vijimin”, shkruan Braçe.
Deputeti falënderoi Policinë e Fierit, Prokurorinë, Drejtorinë e Krimit Kibernetik dhe institucionet e tjera që u përfshinë në hetim, duke theksuar se “grupi ka mbi 400 agjentë terreni” dhe se duhet hetuar më thellë.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të Divjakës, Lushnjes dhe Fierit, por edhe çdo kujt tjetër që ka humbur para në këto skema – të bashkëpunojnë me Policinë dhe Prokurorinë në Fier, për të çuar përpara hetimet dhe për të ndëshkuar organizatorët.
Radar.al

