Dy të rinj janë arrestuar nga Policia e Tiranës gjatë operacionit të koduar “STOP”, pasi shpërndanin lëndë narkotike të llojit kanabis në formë xhelatine, në një lagje pranë rrugës “Xhanfize Keko”.
Në pranga kanë rënë shtetasit Denis Brakaj alias Krasniqi, 35 vjeç, dhe Elker Xibraku, 30 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në ambientin ku ndodheshin të rinjtë, policia gjeti dhe sekuestroi 8 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis në formë xhelatine. Ndërsa në banesën e Denis Brakajt alias Krasniqi u sekuestruan rreth 802 gramë kanabis dhe 3 armë të ftohta (thika).
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.

