Detaje të reja kanë dalë në pah nga vrasja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vushtrri të Kosovës.
Burimet policore bëjnë me dije se i dyshuari ka pohuar kryerjen e vrasjes, gjatë dhënies së deklaratës.
Policia më tej njofton se si prova materiale janë gjetur tre gëzhoja dhe është konfiskuar një revole që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari në kryerjen e vrasjes.
“Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishek”, tha Policia.
Ndërsa më tej mësohet se xhaxhai i viktimës Nysret Zymeri, në një deklaratë për mediat është shprehur se nuk e njeh autorin dhe nuk ka pasur telashe me njerëz të tjerë.
“Nuk e dimë se si ka ndodhur. Të keqe nuk kemi pasur me askënd. Nuk kemi pasur me njeri të gjallë asnjë fjalë të keqe, ne nuk e kemi pritur… Kjo na ka ndodhur, informatën e kemi marrë mbrëmë, nuk e kemi njohur autorin, as tani nuk e njohim”, ka thënë ai.
Më tej theksohet se prokurori do të kërkojë nga gjykata shqiptimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

