ITALI– Studentja shqiptare në Itali, Ilaria Sula e cila u shpall e zhdukur prej datës 25 Mars është gjetur e vdekur brenda një valixheje në një pyll.
Mediat italiane raportojnë se pista e hetimit është fokusuar në lidhjen e saj të dashurisë me një shtetas filipinas, ndërsa vijonte studimet për Statistikë në universitetin “La Sapienza” në Romë, raporton Corriere della Sera.
Sipas hetimeve fillestare, e reja kishte pasur një lidhje me një shtetas filipinas, i cili është identfikuar dhe arrestuar.
Përveç familjes së saj, të cilët kishin bërë denoncim në polici, për ta gjetur atë ishin mobilizuar edhe miq, duke publikuar fotografi të së resë.
Mjekësia ligjore në shtëpinë e ish-të dashurit
Hetimet morën një kthesë dramatike gjatë natës kur hetuesit e policisë mbërritën në banesën e filipinasit në via Homs, në lagjen afrikane, ku në mëngjes u krye një inspektim nga policia mjeko-ligjore. I njëjti i ri, me të cilin viktima dyshohet se i shkruante mesazhe për një kohë të gjatë mbrëmjen kur ajo u zhduk, u identifikua nga policia dhe u dërgua në komisariat për t’u marrë në pyetje. Në mbrëmjen e zhdukjes së saj, Ilaria mesa duket është larguar nga shtëpia me nxitim për të takuar dikë.
Prindërit e saj, të cilët jetojnë në Terni, thanë se ajo nuk kishte marrë asgjë me vete, madje as sendet personale, ndërsa telefoni i saj kishte qëndruar i ndezur për njëfarë kohe dhe dikush madje kishte kthyer përgjigje në disa mesazhe. Nuk është e qartë nëse ishte vërtet ajo. Më pas, asnjë gjurmë nga e reja shqiptare./CORRIERE./Radar.al
E zhdukur prej 25 Marsit në Itali, gjendet e vr*rë në pyll 22-vjeçarja shqiptare