Site icon Informohu siç duhet

E varrosur e gjallë, foshnja 20-ditëshe shpëtohet nga bariu në momentin e fundit

Një foshnjë 20-ditëshe u shpëtua nga vdekja e sigurt në distriktin Shahjahanpur, Indi, pasi dyshohet se ishte braktisur dhe varrosur e gjallë nga prindërit e saj.

Foshnja u zbulua rastësisht nga një bari i zonës, i cili dëgjoi britma të dobëta që dilnin nga një grumbull dheu. Ai pa një dorë të vogël që lëvizte dhe njoftoi menjëherë policinë, duke shpëtuar jetën e foshnjës.

Sipas Dr. Rajesh Kumar, drejtori i kolegjit mjekësor lokal, foshnja u gjend e mbuluar nga balta, me frymëmarrje të vështirë dhe plagë nga kafshimet e insekteve. Ajo u dërgua urgjentisht në njësinë e kujdesit intensiv, ku po trajtohet nga një ekip mjekësh, përfshirë një kirurg plastik, për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

“Gjendja e saj është kritike, por po bëjmë çmos për ta shpëtuar,” tha Kumar, duke theksuar se plagët e freskëta tregojnë se foshnja ishte varrosur pak kohë më parë.

Policia po vijon hetimet për të gjetur prindërit e foshnjës, ndërsa linja shtetërore e ndihmës për fëmijët është njoftuar për ngjarjen.

Raste të tilla, ku foshnjat e padëshiruara femra sulmohen apo braktisen, nuk janë të rralla në Indi, megjithëse shpesh ndalen nga ndërhyrja e shpejtë e qytetarëve apo autoriteteve.

Exit mobile version