“Na vjen shumë keq për atë që ndodhi. Histerektomia është një operacion i madh me pasoja të gjera dhe të pakthyeshme. I kërkojmë falje grave në fjalë”.
Këto ishin fjalët e Johan Lughnegaard, kryemjeku në Spitalin Universitar Uppsala në Suedinë lindore ku ka pranuar gabimin e madh që është bërë me disa gra, të cilat janë operuar edhe pse nuk kishin kancer.
Bëhet fjalë për plot 33 gra që tashmë nuk e kanë më mitrën në trupin e tyre, e kjo jo se kishin ndonjë problem.
Pas analizave, gratë në fjalë, nga 38 deri në 85 vjeç (shumica 50-60 vjeç) , u informuan se kishin ndryshime qelizore që janë pararendëse e kancerit të mitrës. Trajtimi i rekomanduar për këtë është heqja kirurgjikale e mitrës dhe, në disa raste, e vezoreve . Për këtë arsye është planifikuar dhe kryer operacioni, sipas spitalit.
Megjithatë, më vonë rezultoi se diagnoza ishte e gabuar dhe se operacioni nuk ishte i nevojshëm. Me iniciativën e saj, administrata e spitalit nisi hetimet pasi konstatoi një rritje të pashpjegueshme të numrit të diagnozave të këtij lloji kanceri.
Pas hetimeve ekspertët konkuludan se grave në fjalë u ishte bërë diagnozë e gabuar. Spitali mori përsipër të rishikonte historikun e rasteve të ngjashme dhe hapi rrugën për kompensimin financiar për gratë.

