Një ngjarje e rëndë po hetohet nga autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar, ku një grua rreth të 20-ave dyshohet se është sulmuar seksualisht nga disa persona në orët e para të mëngjesit, pranë një kishe në zonën e Surrey.
Sipas informacioneve paraprake, e reja kishte qenë më herët në një klub nate dhe dyshohet se është ndjekur nga një grup burrash teksa po largohej. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur mes orës 02:00 dhe 04:00, në afërsi të një kishe metodiste.
Policia ka nisur një hetim të gjerë dhe po punon për identifikimin e personave të dyshuar, ndërsa në zonë po kryhen kontrolle dhe po mblidhen pamje nga kamerat e sigurisë, si edhe dëshmi të mundshme nga qytetarët.
Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë personave që mund të kenë qenë në zonë në ato orare të kontaktojnë menjëherë policinë, duke theksuar se çdo informacion mund të jetë i rëndësishëm për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Forcat e rendit vijojnë të jenë në vendngjarje, ndërsa hetimet mbeten intensive.

